FONDACIONI ALBIZ VAZHDON TË INVESTOJË NË KAPITALIN SOCIAL

Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës Albiz më 22 shkurt 2020 në Tetarin Popullor Maqedonas e organizoi manifestimin solemn me rastin e ndarjes së 175 bursave për studentët për vitin akademik 2019/2020.

Fondacioni Albiz për mision ka përkrahjen dhe fuqizimin e komuniteteve në nevojë, avancimin e shoqërisë si dhe promovimin e vlerave përmes mbështetjes dhe krijimit të mundësive, si dhe promovimin përgjegjësisë shoqërore të kompanive dhe filantropinë.

Filantropi do të thotë dashuri për njerizimin, duke u nisur nga kjo domethënie Fondacioni Albiz ka krijuar platforma dhe projekte të cilat do i shërbejnë motos tonë “për të mirën e shoqërisë”, me anë këtyre projekteve synojmë zhvillimin e shoqërisë.

Fondacioni Albiz në kuadër të programeve dhe platformave të saja realizoi 23 projekte me vlerë rreth 37 milionë denarë.

“Sot këtu do të promovojmë gjeneratën e nëntë të bursistëve të Fondacionit Albiz, këtë vit do të ndajmë 175 bursa për studentë, kjo mbështetje që vjen prej fondacionit nën moton ‘Investojmë në të ardhmen’, ne nuk e shohim vetëm si ndihmë financiare, por edhe si mundësi që të kontribuojmë në zhvillimin e tyre profesional nëpërmjet programeve trajnuese, gjithashtu duke ju mundësuar që realizojnë punën praktike në rrjetin e kompanive që fondacioni ka”, tha në fjalën e rastit Besir Dernjani, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Albiz.

Një numër i madh i kompanive donatore të Fondacionit janë edhe anëtare të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore. Kryetari i OEMVP-së z. Nebi Hoxha tha se ”Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore gjithnjë në radhë të parë ka pasur interesin e përgjithshëm shoqëror, e vetë themelimi i institucionit është bërë mbi argumentin se shoqëria shqiptare në vend ka nevojë për mekanizma që ushtrojnë veprimtari shtesë për të zhvilluar para çështjet që na tangojnë. Andaj ne si institucion e përshëndesim çdo iniciativë, e sidomos këtë event madhështor të Fondacionit Albiz i cili tregon që bizneset tona në vend, janë shumë të kujdesshëm dhe të shqetësuar për problemet me të cilat përballet rinia jonë dhe jo vetëm”.

Kryetari i Komunës së Çairit, z. Visar Ganiu, të pranishmëve iu drejtua me fjalët se sot Fondacioni Albiz i sfidon institucionet. Mes tjerash ai potencoi se “Përfundojmë aktivitetin sot, duke dëshmuar se jemi gjithmonë në përkrahje të rinjve, të atyre që meritojnë tërë kujdesin dhe mundësinë e realizimit të objektivave të tyre shkencore e profesionale. Me plot konsideratë, përshëndes atë të cilën, po e bën tash e sa kohë Fondacioni “Albiz, duke mbështetur studentë e nxënës përmes programit të ndarjes së bursave sociale dhe ato të meritës. Të njëjtën po e bëjmë edhe ne nga ana tjetër si institucion. Sepse investimi në arsim dhe shkencë është investimi më i vyer dhe më i dobishmi, i cili garanton shoqëri të suksesshme, rini të shëndoshë dhe të ardhme të ndritur”.

Të pranishmit i përshëndeti edhe z. Blerim Bexheti, kryetar i Komunës së Sarajit, i cili tha se komuna vazhdon me bashkëpunimin e mirëfilltë me Fondacionin Albiz.

Kompanive donatore të Fondacionit Albiz iu ndanë mirënjohje për kontributin e dhënë gjatë vitit të kaluar.

Fondacioni Albiz i shpreh falënderim publik të gjitha kompanitë për mbështetjen pa rezervë, që besojnë në veprimtarinë tonë dhe në misionin tonë. Kjo e bën të veçantë Fondacionin Albiz.